Kune-Vain: modeli për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm

Zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm është në gjendje të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe vetëdijes për vlerat e natyrës dhe të krijojë mbështetje publike për ruajtjen e këtyre sistemeve natyrore. Nën kushte të caktuara, turizmi mund të jetë gjithashtu një mekanizëm novator për zvogëlimin e varfërisë për komunitetet që jetojnë pranë zonave turistike.

Rritja e turizmit të qëndrueshëm sot nuk pasqyron vetëm realitetet mjedisore, por edhe një dëshirë nga vetë turistët për të përqafuar eko-turizmin apo turizmin e gjelbër.

Mbi këtë tematikë, më 24 nëntor, u mbajt në Vlorë Konferenca e Parë për Zhvillim të Qëndrueshëm, fokusuar në ndërtimin e Partneritetit Publik Privat për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, ndikimin e zonave rurale për zhvillimin e qëndrueshëm, rolin e politikave orientuese dhe politikat fiskale si një instrument nxitjeje, së bashku me sfidat për të ardhmen dhe raste e projekte konkrete në analizë.

Konferenca u përshëndet nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Drejtuesja Ekzekutive e InSET, Drejtori i Pergjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Drejtuesja e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Rajonal 4, përpos referimeve nga ekspertë të fushës.

Prof. Dr. Mihallaq Qirjo, drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) Shqipëri prezantoi para të pranishmëve në konferencë potencialet e ligatinave për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, duke iu referuar modelit të sistemit lagunor Kune-Vain, i cili ofron një shumëllojshmëri vlerash dhe shërbimesh ekosistemi tepër të vlefshme jo vetëm për komunitetin që banon pranë tij, për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik, klimës mesdhetare, burimeve ujore dhe peisazhit natyror.

REC Shqipëri për një periudhë tri vjeçare (2017-2019) do të jetë përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e fushatave ndërgjegjësuese në nivel kombëtar dhe vendor si dhe organizimin e aktiviteteve të veçanta në shkollë, lidhur me përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe avantazhet e zbatimit të praktikave të ripërtëritjes së bazuar në ekosistem.

Aktualisht kjo lagunë vizitohet nga rreth 100 turistë në muaj, gjatë verës, të cilët fokusohen vetëm në turizmin e plazhit. Nuk ka asnjë ndërmarrje të orientuar për ekoturizëm dhe anëtarët e komunitetit vendor nuk kanë marrë asnjë trajnim për zhvillimin e ekoturizmit apo nxitjen e sipërmarrjeve të vogla që mbështesin zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, ndërkohë që rritja e shpejtë e numrit të popullsisë dhe gjendja jo e mirë ekonomike e banorëve që jetojnë në këtë zonë ka çuar në një rritje të presionit në lagunën përsa i përket shërbimeve të ekosistemit dhe ato çka ne marrim prej tij, duke çuar në ndryshime të paplanifikuara në zonën e ashtuquajtur “tampon” që rrethon lagunën.

Përveç kësaj, modelet klimatike globale parashikojnë zvogëlimin e sasisë së reshjeve, duke cuar në rritjen e kripësisë në lagunë me efekte të dëmshme për sektorin e peshkimit. Deri në 2100, ritmi i rritjes së nivelit të detit do të jetë më i lartë (deri në 61 centimetra) duke çuar në rritjen e erozionit dhe humbjen e vazhdueshme të habitatit brenda sistemit lagunor të Kune-Vainit.

Sidoqoftë, marrëdhënia midis turizmit dhe ligatinave është komplekse dhe ka nevojë për qasje që bazohen në parimet natyrore me ndërtimin e disa ekuilibrave të rinj midis njeriut dhe natyrës.